Aksioni i mëshirës dhe solidaritetit në Dibër

Aksioni i mëshirës dhe solidaritetit në Dibër

Aksioni Mëshira dhe Solidariteti i Ramazanit, i cili realizohet nga Organizata Humanitare Hilal e cila funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të Martën më 14 Maj, ka ndërmarrë aksion humanitar në qytetin e Dibrës, gjegjësisht Myftininë e Dibrës, ku në mënyrë të koordinuar ka bërë ndarjen e ndihmave humanitare për familjet skamnore, të pastrehët dhe jetimët, me ç’rast u ndanë 8 tonelata ndihma humanitare.
Ashtu siç u njoftua në fillim të këtyre aksioneve nga kryesia e OH Hilal, myftinia e Dibrës është pjesë e ndihmave të planifikuara për këtë muaj të bekuar ka parashihen të shpërndahen mbi 200 tonelata ndihma.
Aksionet e përditshme të ndërmarra nga OH Hilal mbështeten nga muftinitë e Bashkësisë Fetare Islame në RMV dhe këshillat e xhamive në tërë vendin, të cilat fillimisht përpilojnë lista të skamnorëve dhe më pas ato ndihma shpërndahen sipas këtyre listave në tërë territorin e vendit tonë.
Pra, në këtë aksion në Dibër, Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti i dorëzoi 8 tonelata ndihma Myftiut të Myftinisë së Dibrës, Ramazan ef. Hasa, i cili në prezencë të stafit të muftinisë së tij dhe mediumeve lokale falënderoi publikisht OH Hilal dhe Kryetarin e saj ef. Dautin si dhe një falënderim të posaçën për Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi për angazhimin e palodhshëm në sferën e humanitetit dhe sigurimin e ndihmave për skamnorët e jetimët e qytetit të Dibrës si dhe Bashkësinë Fetare Islame, e cila nëpërmjet organizimeve të ndryshme gjatë këtij muaji të bekuar, kontribuon në organizimin e madhërishëm të jetës fetare në vend.
Me këtë rast Kryetari i OH Hilal Mustafa ef. Dauti falënderoi Drejtorinë e Vakufit të Republikës së Turqisë e cila si çdo vit po bashkëpunon me BFI dhe na dhuron nga 5 mijë pako ndihma humanitare për nevojtarët e kategorive të ndryshme në Maqedoni. Ai gjithashtu falënderoi edhe fabrikën e ujit Kozhufçanka për mbështetjen disa vitëshe.
Efendi Dauti para mjeteve të informimit deklaroi se: “Sot i jemi përgjigjur kërkesës së Myftinisë së Dibrës dhe listave të përpiluara paraprakisht, për të n

dihmuar skamnorët dhe jetimët që gravitojnë në këtë Myftini, ku edhe bëmë ndarjen e 8 tonelata ndihma. Këto aksione do të vazhdojnë çdo ditë përgjatë tërë muajit të Bekuar të Ramazanit, ku ne si organizatë këto ndihma do t’i shpërndajmë nëpër të gjitha myftinitë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Njëherit e ripërsëris se dua të falënderoj Reisul Ulemanë H. Sulejman ef. Rexhepi, pa ndihmën e të cilit këto aksione nuk mund të realizoheshin si dhe për faktin që vazhdimisht na jep mbështetje të fuqishme, kurajë dhe vullnet që këto ndihma të shkojnë në vendin e duhur, pra tek skamnorët dhe të gjithë ata që kanë nevojë”.
Menjëherë pas dhënies së deklaratave për mediumet, Myftiu i Dibrës dhe Kryetari i OH Hilal filluan të ndajnë ndihmat për skamnorët të cilët paraprakisht ishin njoftuar dhe planifikuar. Ndihmat e tilla humanitare gjatë muajit të bekuar të Ramazanit janë më se të nevojshme për skamnorët, sepse duke parë që varfëria po merr hov të madh nëpër popullatën muslimane, kushtet e vështira dhe papunësia e madhe, jemi të bindur se këto ndihma sado pak do të zbutin varfërinë tek shumë familje skamnore.
Ashtu siç u përmend më herët, OH Hilal për gjatë muajit të Ramazanit ka planifikuar aksione të pandalshme ku do të bëhet shpërndarja e 200 tonelatave ndihma, të cilat kapin një shumë prej 420 000 euro.

 

Comments are closed.